Tekstet e fundit

Wednesday, September 7, 2011

Demokracia dhe Bashkimi Europian


Demokracia dhe Bashkimi Europian

Nga Ali Maksuti më 6 Dhjetor 2010 

Çështja Evropiane (integrimet euro-atlantike), ka të bëjë me vendet që e presin integrimin dhe me vet unifikimin e politikave të Bashkimit Evropian (BE). Në këtë proces ekziston vetë problemi i BE-së, ku paraqiten dy çështje kontroverse, evropianizimi i demokracisë në stilin e identitetit evropian, që për kusht e ka shtetet anëtare dhe shtetet që janë në pritje të anëtarësimit të pranojnë këtë të vërtetë, dhe nga ana tjetër kemi të bëjmë me demokratizimin e BE-së, në formën reale të të kuptuarit. Të dy këto aspektet kontroverse janë çështje që kanë të bëjnë me debatet e shumta akademike për identitetin evropian dhe integrimet në vazhdim, si të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Këto çështje thelbin e problemit e kanë në varësinë e një “backround-i” nacional të vendeve anëtare, si dhe për preferencat ideologjike dhe kulturore të vendeve në pritje të anëtarësimit në BE.
Me vendimin e radhës për heqjen e vizave të dy vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, Bosnjës dhe Shqipërisë, BE tregon edhe njëherë interesimin për zgjerimin e saj. Për këtë qëllim BE zgjerimin e saj e sheh si një “perandori” me rritje të ndikimit në nivel global, por nga ana tjetër zgjerimi i integrimit të shteteve të reja duhet të realizohet në atë rrugë që të pranoj me një respekt edhe diversitetin kulturor – politik të shteteve që presin anëtarësimin, por edhe shteteve tw cilat veç më janë anëtare. Kjo, zaten është edhe aspirata e krijimit të një unioni të të gjithë njerëzve që jetojnë ne Evropë, duke u bazuar në Traktatin e Mastriktit që është në varësi të pranimit të kësaj doktrine të integrimit, pra pranimit të diversitetit kulturor, por edhe linguistik.
Por, rritja e ndikimit të partive djathtiste në Evropë ka filluar të ndryshojë perceptimin real për demokracinë. Ardhja në pushtet në Suedi e partive me qëndrime anti-emigrantëve, gjegjësisht anti-islame, koalicioni i liberalëve me djathtistët në Holandë për formimin e qeverisë, raporti i Francës me emigrantët si dhe deklaratat e fundit të kancelares gjermane për dështimin e multikulturalizmit në Gjermani janë disa elemente që tregojnë qëndrimin real të Evropës ndaj emigrantëve, sidomos ndaj myslimanëve. Nga ana tjetër kemi edhe thyerjen e mitit të lirisë dhe barazisë që ishte perceptuar më parë se janë në identitetin Evropian. Qëndrimet e idealistëve liberal amerikan se bota mund të qëndrojë duke kultivuar gjithë kulturat e botës është duke treguar të kundërtën. Orientimi identitetit evropian të bazuar në të kaluarën historike nuk do të mund të përballojë zgjerimin e saj me shtetet që kanë kultura dhe preferenca tjera ideologjike nëse nuk e pranon realitetin e krijuar në Evropë.
Deklaratat kontroverse të përfaqësuesve evropian japin një pasqyrë të asaj se BE ende është në proceset e harmonizimit të identitetit evropian me demokracinë. Zgjerimi i BE-së e forcon Evropën në proceset diplomatike ndërkombëtare, por nga ana tjetër e detyron të pranojë realitetin e krijuar në Evropë me diversitetin kulturor dhe ideologjik. Arsyeja e shtyrjes së vendeve të Ballkanit në integrimet evropian, si dhe zgjatja e pranimit të Turqisë në BE, janë edhe disa elemente të vazhdueshme, por edhe bazë që tregojnë gjendjen e BE-së në raport me realitetin politik në kontinentin e Evropës. Furio Cerutti, analist politik, edhe pse në librin e tij “The search for European identity “ thotë që pjesërisht mban teoria e Huntigtonit “Ne e dimë kush jemi vetëm atëherë kur e dimë kundër kujt jemi” në lidhje me identitetin politik të Evropës, por nuk është baza kjo.
Fatkeqësisht tendencat e fundit në Evropë tregojnë të vërtetën e Huntigtonit. Deklaratat e Wilders, platforma e partisë fitimtare në Suedi dhe qëndrimet e Zvicrës ndaj xhamive treguan identitetin Evropian dhe qëndrimet pro dhe anti “të huajve”. Interesi i BE-së pro zgjerimit si dhe anasjelltas, interesi i shteteve që presin anëtarësimin në BE duhet të jetë ne relacion të respektit dhe rregullimit legjislativ duke mbrojtur kulturat dhe qëndrimet ideologjike të të gjithë banorëve të BE-së dhe respekti i legjislacionit që mbron të drejtat dhe liritë të njeriut, si elemente demokratike. Kjo zaten është edhe vizioni i themeluesve të BE-së.
http://ligjerimi.al/demokracia-dhe-bashkimi-europian/

No comments:

Post a Comment