Tekstet e fundit

Wednesday, September 7, 2011

Buxheti që mbjell kriza të reja


Buxheti që mbjell kriza të reja






Shpërndarja e mjeteve në gjithë ministritë kanë lënë  anash rajonet e banuara me shqiptarë. Me çka, veç krizave ekonomike që do të sjellë ky buxhet i parashikuar, për shkak të varfërisë së dyfishtë të shqiptarëve mund të ketë edhe tendenca për rritje të krizës ndëretnike
Në fund të çdo viti kalendarik, çdo person, çdo familje, çdo biznes por edhe çdo shtet përgatit raportin për vitin e kaluar kalendarik për të shikuar gjendjen ekonomike si ka rrjedhur gjatë kohës dhe pas saj menjëherë parashikon vitin e ardhshëm se ku do të pozicionohet gjendja tij, apo shtetit në aspektin ekonomik. Kështu veprojnë shumë individë, kompani dhe shtete. Nëse në një familje diskursi që tregon pozicionin e gjendjes ekonomike të një familje është kuleta, te një shtet është buxheti. Buxheti është dokumenti kryesor ekonomik që pasqyron më qartë gjendjen ekonomike të një shteti. Tani edhe Maqedonia njëjtë përgatit Propozim-buxhetin për vitin 2011 i cili më është propozuar nga Qeveria, pritet të miratohet në Parlament dhe të aplikohet gjatë vitit të ardhshëm kalendarik. Duke pasur parasysh se objektivat kryesore të buxhetit të çdo shteti janë përcaktimi i të mirave publike për qytetarët, rishpërndarja e mirëqenies ekonomike (të ardhurave shtetërore) në subvencione, pensione dhe shërbime tjera sociale si dhe qëndrueshmëria ekonomike, që ka të bëjë me kontrollin e papunësisë dhe kontrollit të inflacionit. Buxheti i shtetit ka ndërlidhshmëri dhe influencë në jetën e përditshme të qytetarit, njashtu anasjelltas edhe qytetaret me vetëdije apo pa vetëdije, direkt apo indirekt kanë ndikim në hartimin e buxhetit të shtetit, qoftë ajo nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme ekonomike qoftë ajo si sjellje e konsumatorit. Prandaj duke pasur parasysh këto elemente në lidhje buxhetin, propozimi i tij për vitin e ardhshëm akademik duhet të jetë në përputhshmëri me interesat e shumicës së qytetarëve, duke lënë anash çdo gjykim nacional. 
Buxheti i vitit të kaluar kalendarik në Maqedoni ishte për të qeshur për ata që nuk jetuan nën ombrellën e këtij shteti, por për të qarë për ata që jetuan në të, pasi gjithë investimet kapitale ishin parashikuar për investime jo profitabile, për gjëra të luksit dhe për ndërtimin e Shkupit 2014, që ky projekt ende vazhdon të jetë në buxhetin e 2011, kurse aspak nuk kishte elemente për uljen e papunësisë apo motivimit të agrokulturës, veç disa subvencioneve që ishin si ndihma sociale, apo nxitjen dhe motivimin e biznesit të vogël.  Këto elemente janë disa që janë lënë pas dore vitin e kaluar. Një element tjetër që paraqet destruktivitetin ekonomik të Maqedonisë është edhe manipulimi me huat që merr shteti nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe mos shfrytëzimi i tyre për projekte zhvillimore, por këto, përkundrazi i orienton për shpenzim publike, me çka qytetari i Maqedonisë ende thellohet në borxhe. Për paaftësinë e Qeverisë në menaxhimin e buxhetit për vitin e kaluar, njashtu vërejtje kishte edhe nga Komisioni Evropian, që shpenzimet publike ishin tejet të mëdha në raport nga mbledhja e taksave. Gjithë ky devijim i vitit të kaluar parashihet të përsëritet edhe vitin e ardhshëm, me çka vendi do të shkojë drejt varfërimit. Këto ishin disa elemente në aspektin e përgjithshëm të buxhetit të vitit të kaluar, që mund të përsëriten këtë vit. Por, përveç këtyre devijimeve makro, në planin e buxhetit për vitin e ardhshëm kalendarik, vërehet edhe diskriminimi rajonal dhe nacional i investimeve kapitale. Shpërndarja e mjeteve në gjithë ministritë kanë lënë  anash rajonet e banuara me shqiptarë. Ky diskriminim vërehet në gjithë sektorët e Qeverisë, por më të theksuara janë ajo e arsimit, ku shumë shkolla shqipe janë me kushte të mjeruara dhe nuk parashikohen mjete për mirëqenien e tyre, kjo më tepër është vërejtur në zonat rurale të banuara me shqiptarë, në Ministrinë e Kulturës ku parashihen ndarje të mjeteve për organizimet festive të kulturës sllavo-maqedonase, përmendoreve  dhe figurave qesharake në Shkup, kurse nga ana tjetër janë larguar ose nuk janë parashikuar mjete edhe për organizimit e ndryshme të kulturës shqiptare, në Ministrinë e Vetadministrimit Lokal njashtu vërehen diskriminime për komunat shqiptare. Gjithë kjo lojë diskriminuese bie mbi supet e shqiptarëve në Maqedoni. Me çka, veç krizave ekonomike që do të sjellë ky buxhet i parashikuar, për shkak të varfërisë së dyfishtë të shqiptarëve mund të ketë edhe tendenca për rritje të krizës ndëretnike. Gjithë kjo si rezultat i mosfunksionimit serioz të palës shqiptare që përfaqësojnë shqiptarët në Parlament, qoftë ajo partia pozitës që duhet të jetë më e zëshme në këto tendenca, njashtu edhe partitë politike opozitare që duhet t’i bëjnë presion mosrealizimit të këtyre projekteve me buxhetin e shtetit.

Nga Ali Maksuti
botuar ne kohaere.eu
11.11.2010

No comments:

Post a Comment